Lorenzo provokon Yamahën dhe Rossin: Qepeni gojën!

Jorge Lorenzo me Yamaha fitoi garën e parë sezonale në Moto GP, duke konfirmuar se edhe këtë vit do të jetë pretendenti kryesor për titull. Një fitore që u quajt si paradoks, duke qenë se Yamaha ditën e shtunë rinovoi edhe për dy vite të tjera kontratën me pilotin tjetër, Valentino Rossi, që doli i katërti. Ndërsa Lorenzo është ende në pritje, ndërkohë që ka një ofertë zyrtare nga rivalët e Ducati. Ndaj dhe pas garës, spanjolli ka bërë një gjest provokues, duke bërë shenjën e mbylljes së gojës. Në adresë të kujt…?

“Gjesi i gojës së mbyllur? Ndonjëherë një gjest vlen më shumë se fjalët. Gjithësecili le të bëjë refleksionin e tij”, ka thënë Jorge Lorenzo pas garës. Ndërsa drejtori sportiv i Yamaha, Lin Jarvis, shtoi: “Nuk e di se çfarë do të thotë Jorge me atë gjest. Unë shpesh e ftoj atë të flasë dhe të mos bëjë veprime të tilla të pavlefshme”. Për sa i përket garës, spanjolli shtoi: “Zgjedhja e gomës së pasme ishte vendimtare. Me gomën e fortë nuk shkoja mirë, ndaj vendosa ta ndërroja atë. Jam i kënaqur për këtë fitore, pasi e nisa sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Lorenzo.