Kuqezinjtë, në Turqi për ndeshjen kualifikuese në EURO

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur, përmes një postimi në faqen zyrtare të Federatës në rrjetin social Facebook, se Kombëtarja e Shqipërisë është nisur për në Turqi, ku do ta vazhdojë kampanjën kualifikuese për EURO 2020.

Shqipëria do të përballet me Kombëtaren e Turqisë fillimisht të premten në orën 20:34, në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit H kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Vetëm katër ditë më vonë, Shqipëria do ta zhvillojë edhe një ndeshje si mysafire, këtë herë kundër Moldavisë, sërish në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Shqipëria aktualisht radhitet e katërta ne tabelën e Grupit H, me nëntë pikë të fituara nga shtatë ndeshjet e para të zhvilluara (tre fitore, tri humbje). Vendin e parë e ndajnë Turqia dhe Franca me nga 15 pikë.

Pasi Elseid Hysaj mbeti i lënduar në ndeshjen e fundit të Napolit, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se trajneri Edy Reja e ka zëvendësuar atë me Hysen Memollën në listën e ekipit kombëtar të Shqipërisë për ndeshjet e muajit tetor.

Mbrojtësi 27-vjeçar luan në Finlandë për Kokkolan. Ai po kalon një periudhë shumë të mirë, ndërsa ka shënuar 2 gola në 4 paraqitjet që ka bërë për ekipin e tij këtë sezon. Megjithëse në rolin natyral luan në krahun e majtë, Reja është bindur se Memolla është zgjedhja e duhur për ndeshjet e ardhshme në Grupin H për kualifikimet në EURO 2020.