Kumbulla pozitiv me COVID-19, dy javë në vetizolim

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit Marash Kumbulla është prekur nga koronavirusi dhe ka rezultuar pozitiv në testet e bëra këtë të martë, duke rikonfirmuar skuadrën e tij Romën, si një nga vatrat më të nxehta në Serinë A

Pas rasteve pozitive të sulmuesit boshnjak Edin Xheko dhe portierit të talentuar Boer, te skuadra e Romës janë shtuar futbollistët e infektuar me koronavirus. Federico Fazio, Davide Santon e Lorenzo Pellegrini janë emrat e tjerë të skuadrës së futbollit italian në listën aspak të lakmueshme, të cilës në orët e fundit iu shtua dhe Kumbulla.

Janë aktualisht 6 lojtarë pozitiv me koronavirus në kampin e verdhekuqve, një situatë alarmante për të cilën mbrojtësi shqiptar bëri apel për kujdes.

“Nga tamponi i fundit kam rezultuar pozitiv me koronavirus. për fat jam në gjendje të mirë dhe nuk kam simptoma. Askush nuk mund ta quajë veten imun nga ky virus dhe dua të sensibilizoj të gjithë për të evituar sjellje që mund të vënë në rrezik shëndetin e të tjerëve“, tha Kumbulla.

Mbrojtësi shqiptar do kalojë një periudhë karantine para se të rikthehet në dispozicion të trajnerit Fonseka.