Kosova (V) më e mira, Tahiri vendimtar

Kampioni në fuqi i futbollit kosovar, Kosova e Vushtrrisë vazhdon ta ketë mbrojtjen më të mirë në Superligë.

E një meritë të veçantë për këtë e ka edhe portieri më i mirë në Kosovë, Petrit Tahiri, transmeton Gazeta Tribuna.

Tahiri, vazhdon të jetë portieri më i mirë në Superligë, pasi ka pranuar më së paku gola deri me tani.

Në 25 ndeshje të luajtura, ai ka pranuar vetëm 16 gola, më pak se secili portier tjetër në Superligë.

Në vendin e dytë është mbrojtja e Prishtinës me 17 gola të pranuara, por që te prishtinasit, në përbërjen bazë kanë qenë dy portier, Kushtrim Mushica në stinorin vjeshtor dhe Visar Bekaj në pranverë.

Pozitën e tretë e zë Feronikeli me vetëm 19 gola të pranuara dhe një meritë të veçantë e ka edhe portier, Granit Kolshi, i cili në shtatë ndeshje të stinorit pranverorë nuk kishte pranuar gol.

Edhe përkundër faktit se vushtrriasit kanë mbrojtjen më të mirë, pas 25 ndeshjeve të luajtura, renditen në pozitën e pestë me 42 pikë, nëntë më pak se Feronikeli që është i pari /Gazeta Tribuna/