Kosova, e pesta në finale botërore të “Red Bull Paper Wings”

Kosova ka arritur të rangohet në mesin e dhjetë shteteve më të mira në finalen botërore me aeroplanë prej letre të njohur si “Red Bull Paper Wings”, garë të cilën e organizon kompania e pijes së njohur energjike – Red Bull.

Për Kosovën, kjo ishte hera e pestë që paraqitet në këtë finale botërore që mbahet në Salzburg të Austrisë, njëherit më e suksesshmja. Ishte garuesi Ajet Basholli, ai që në finalen e kategorisë “fluturim në distancë” arriti ta hedhë aeroplanin hiq më pak se 39.53 metra në dy tentime. Fitues doli garuesi nga SHBA-ja, Jack Hardy që arriti distancën 56.61 metra.

“Është dashur ta fitoj këtë kategori apo të paktën të jem në mesin e tre më të mirëve, duke ngritur flamurin e Kosovës në podium”, u shpreh Basholli, i cili ishte shumë i zhgënjyer me këtë rezultat përkundër se të gjithë e përgëzonin për arritjen.

Finalja e kësaj kategorie është mbajtur të dielën në “Hangar 7” të Salzburgut pas fazës së kualifikimeve që ishte në program të shtunën. Në kualifikime u paraqitën 58 garues kurse vetëm dhjetë me rezultatin më të mirë, pas dy tentimeve arritën të shkojnë në finale. Basholli në kualifikime arriti distancën prej 40.05 metrave. Për Bashollin kjo ishte hera e katërt që mori pjesë në këtë ngjarje.

Në kategorinë e fluturimit në distancë, garuesit kishin nga një letër të formatit A4, me të cilën e ndërtonin aeroplanin që pastaj do të hidhnin. Garuesit nëpërmjet imagjinatës së tyre formojnë aeroplanin pa shtesa dhe prerje të letrës, pasi që para se ta lëshojnë atë ua kontrollon juria. Aeroplani duhet të fluturojë në ajër sa më gjatë që është e mundur për të përshkruar distancë sa më të gjatë, në mënyrë që garuesit të arrijë një rezultat të mirë.

Kosova nuk është paraqitur vetëm me Bashollin në këtë finale botërore të “Red Bull Paper Wings”. Albion Ukaj dhe Premton Bajraktari gjithashtu ishin përfaqësueses të shtetit tonë, por në dy kategori tjera. Ukaj u paraqit në kategorinë e akrobacionit derisa Bajraktari në atë të “qëndrimit në ajër”, të cilat janë gjithashtu pjesë e kësaj gare. Që të dy, u paraqitën në kualifikime të dielën, por nuk arritën të jenë edhe finalistë. Në kategorinë e akrobacionit, garuesit duhet që me anë të ideve të tyre të bindin jurinë treanëtarëshe për t’iu dhënë pikë maksimale gjatë prezantimit prej 30 sekondave me aeroplanë të ndryshëm dhe performancë. Ndërsa, në kategorinë e qëndrimit në ajër, aeroplanët prej letre duhet që të mos bien në tokë, por të fluturojnë sa më shumë sekonda kur lëshohen nga garuesit.

Njëherit, të dielën ka marrë fund edhe ky edicion I “Red Bull Paper Ëingss” që nisi të enjten me ceremoninë hapëse, gjatë të cilës të gjitha shtetet prezantoheshin me veshjen e tyre kombëtare. Kompania e “Red Bullit” këtë ngjarje e organizon prej vitit 2006 kurse për të qenë pjesë e finales botërore, garuesit është dashur të triumfojnë në kualifikimet që janë mbajtur nëpër shtetet e tyre muaj më parë.

Këtë vit në kualifikimet e përgjithshme shtetërore kanë marrë pjesë hiq më pak se 52 mijë garues. Por, në finalen botërore janë kualifikuar vetëm 168 prej tyre që kanë përfaqësuar 58 shtete. Njëherit, “Red Bull Paper Wingss” është gara më pjesëmarrjen më masive prej të gjitha garave që organizohen nën ombrellën e kompanisë të pijes më të njohur energjike në botë. Ndërkohë, Kosova ka qenë pjesë e finales botërore edhe në vitet 2009, 2012 e 2015.