Kosova botërorin e përfundon me fitore bindëse

 

Me fitore të lartë ka përmbyllur Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll paraqitjen në kampionatin botëror në Spanjë. Është kjo hera e parë që një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore ka arritur të kualifikohet në botëror.
Kombëtarja jonë të enjten në Pontevedra u takua me Australinë dhe fitoi me rezultat bindës, 38:20. Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 21:9 për kombëtaren tonë. Dallimi në cilësi ishte shumë i madh dhe kështu djemtë tanë herët krijuan epërsi të lartë dhe arritën pa vështirësi te fitorja bindëse. Ndeshja ishte për vend të 23-të që i takon kombëtares tonë. Kosova kishte siguruar biletën e fundit për botëror, ndërsa në Spanjë la përshtypje shumë të mirë në ndeshjen e parë me Kroacinë, ndaj të cilës ishte rival i barabartë. Grupi i Kosovës ishte shumë i fortë dhe kështu kalimi i tij me sukses ishte vështirë i arritshëm. Pos me Kroacinë, kombëtarja jonë ka humbur edhe me Hungarinë, Portugalinë dhe Brazilin. Në fund barazoi me Bahrejnin për pikën e parë në botëror. Të mërkurën djemtë tanë nuk e kishin ditën dhe humbën nga Argjentina në ndeshjen e parë për plasman. Të enjten ndaj Australisë ishin bindës.
Për nga cilësia, Kosova qëndron më mirë se 4-5 kombëtare që do të renditen më lart se ne. Por mungesa e përvojës në këtë nivel dhe grupi i fortë kanë bërë të veten. Poashtu edhe sistemi i garës dhe paraqitja jo në nivelin e synuar në disa takime.
Gjithsesi botërori është përvojë me rëndësi për këta djemë e poashtu për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi. Të kujtojmë që në Spanjë jemi prezentuar me të gjitha simbolet. Himni shtetëror është intonuar para çdo ndeshje e poashtu flamuri shtetëror i Kosovës është i shfaqur në palestrat në Pontevedra dhe Vigo.
Ndaj Australisë lojtar i ndeshjes u shpall Albin Xhafolli.

Australia – Kosova 20:38 (9:21)

Kosova: Luzha, Gubetini 2, Dugolli, Abazi, Bajqinovci 1, Shabani 2, Avdulli 3, Tahirukaj 3, Mustafa 6, Beqiraj, Muqolli 3, Xhafolli 8, Basholli 6, Halili 2, Dalladaku 2