Klubi amerikan ia ofron Messit një rrugë largimi nga Barcelona

Klubi i Major League Soccer (MLS, niveli i parë i futbollit në SHBA), LA Galaxy, është duke u bërë gati për t’ia bërë një ofertë bindëse argjentinasit të Barcelonës, Lionel Messit, për ta transferuar gjatë verës.

Drejtuesit e LA Galaxy besohet se janë në bisedime me përfaqësuesit e Lionel Messit për ta kuptuar nëse ylli argjentinas është i gatshëm të largohet nga Barcelona këtë verë, shkruan gazetari i famshëm sportiv John E. Rojas, transmeton Gazeta Express.

Lionel Messi dhe e ardhmja e tij kanë qenë në qendër të vëmendjes që nga zënka publike e yllit argjentinas me drejtorin sportiv të Barcelonës, Eric Abidalin.

Pasi Abidal kishte sugjeruar se disa lojtari nuk kishin punuar mjaftueshëm para shkarkimit të Ernesto Valverdes në janar, Messi ia ktheu kritikën me kritika, duke rritur dyshimet për të ardhmen e tij në Camp Nou.

Fillimisht ishte raportuar për një transferim të mundshëm në Manchester City, mirëpo këto spekulime u ndalën plotësisht pasi City u dënua me dy vjet pezullim nga garat evropiane dhe u gjobit me 30 milionë euro.

Megjithatë, spekulimet për një largim të mundshëm të Messit nuk janë ndalur ende, pasi që tani po flitet për LA Galaxy, që ka buxhet mjaft të madh në dispozicion për të shpenzuar për paga të lojtarëve, shkaku i largimit të Zlatan Ibrahimovicit nga skuadra.