Juventus-Monaco, deklaratat dhe statistikat para ndeshjes

Ndeshja e dytë e mbrëmjes luhet në Torino, atje ku Juventus ka një mision paksa më të thjeshtë kundër francezëve të Monacos. Padyshim petkun e favoritit e veshin italianët, por që duhet të kenë kujdes nga klubi nga principata që prek çerekfinalen e parë pas 11 vjetësh.

Massimiliano Allegri e vlerëson lart skuadrën franceze, duke i vlerësuar tiparet mbrojtëse të tyre.

“Këto dy ndeshje janë më të vështira se ato ndaj Dortmundit. Monaco ka një skuadër shumë të mirë dhe ka arritur deri këtu me plot meritë. Ata kanë pësuar vetëm katër gola dhe kjo tregon më së miri për cilësitë e tyre”, deklaroi trajneri i Juves në konferencën për shtyp.

Atmosfera në taborin mysafir është paksa më ndryshe, pasi që francezëve iu konvenon edhe një barazim. Trajneri Leonardo Jardim, përtej respektit për Juventusin, thotë që djemtë e tij duhet të japin gjithçka për ta vazhduar këtë ëndërr.

“E respektojmë Juven sepse ka lojtarë të klasit botëror, por kjo s’do të thotë që ne do të frikësohemi. Do të luajmë lojën tonë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Asnjë skuadër nuk e kalon ruandin pa luajtur prandaj ne do ta japim gjithcka për të vazhduar këtë ëndërr”, theksoi trajneri francez.

Statistikat flasin në anën e Zonjës së Vjetër, pasi që bardhezinjtë nuk janë mposhtur kurrë në shtëpi në 11 ndeshjet me skuadrat franceze. E a do të thyhet kjo tabu sonte, do të na zbulojë ndeshja që fillon në 20:45. /Gazeta Tribuna