Jupp Heynckes zbulon pasardhësin e tij te Bayern Munich

Jupp Heynckes beson se Thomas Tuchel është trajner i duhur për Bayern Munich Heynckes u rikthye për herë të katërt në drejtim të Bayernit në shtatorin e vitit të kaluar, duke e zëvendësuar Carlo Ancelottin i cili u shkarkua pas një starti të dobët duke përfshirë edhe humbjen prej 3:0 nga PSG në Champions League.

Rikthimi i tij e këndelli Bayernin, por ai nuk e ka ndërmend që të vazhdojë më shumë dhe kështu hap dyert për një trajner të ri, ku si pasardhës e ka përmendur emrin e Thomas Tuchel.

“Unë mendoj që Thomas Tuchel ka kualitet që të jetë trajner i Bayernit,” ka thënë Heynckes për ‘SportBild’. “Unë e vlerësoj shumë atë, ai ka bërë punë të mirë edhe sa ishte te të rinjtë e Mainzit. “Dortmundi gjithashtu ka luajtur futboll të mirë nën urdhërat e Tuchel. Ai preferon të luajë futboll atraktiv. Unë kënaqesha duke e shikuar Dortmundin dhe kjo është arsyeja se pse unë e vlerësoj atë shumë si trajner,” përfundoi trajneri aktual i bavarezëve.