Isco: Zidane më ka dhënë vetëbesim

Futbollisti spanjoll është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për Real Madridin.

Isco i është falënderues Zinedine Zidane pasi sipas tij ai është trajneri i vetëm i Real Madridit, i cili e ka vendosur atë në pozitën e duhur, gjë që i është shpërblyer me paraqitje të mira të spanjollit, i cili gjithashtu shton se ka fituar vetëbesimin e munguar ndër vite.

Reprezentuesi i Spanjës i është bashkuar Realit me kërkesë të Carlo Ancelottit dhe për një periudhë prej gjashtë muajsh ka luajtur edhe nën drejtimin e Rafa Benitez, por ai mendon se formën më të mirë e ka gjetur kur skuadrën e ka marrë Zidane, transmeton KosovaPress.

“Zidane më ka dhënë mundësinë të kem një rol të rëndësishëm në ekip”, ka thënë Isco për Fox Sport.

“Ai është trajneri i vetëm që më ka vendosur në pozitën ku unë kam dëshirë të luaj dhe kjo më ka ndihmuar të kthej vetëbesimin në fushë”, ka theksuar ai.