Icardi me në fund merr vendim…

Mauro Icardi mund të quhet përfundimisht i larguar nga Interi, ndonëse për të mësuar skuadrën e tij të re, duhet të presim ende edhe disa ditë, ose disa javë.

Pas deklaratave të Marottës një ditë para nisjes së përgatitjeve, se sulmuesi argjentinas nuk bën pjesë në planet e zikaltërve, sot Mauro Icardi ka lënë grumbullimin në Lugano dhe është kthyer në Milano.

Lajmin e ka dhënë klubi zikaltër në një deklaratë, ku thuhet se sulmuesi bashkë me drejtuesit e skuadrës kanë vendosur që Icardi të kthehet në Milano dhe të vazhdojë përgatitjet i vetëm në Pinetina.

“Mauro Icardi do të kthehet sot në Milano. Vendimi është marrë nga klubi bashkë me futbollistin. Ai do të vijojë përgatitjet atletike në qendrën stërvitore të klubit dhe nuk do të marrë pjesë në turin veror aziatik”, thuhet në njoftimin e klubit.

Ky fakt konfirmon edhe njëherë se marrëdhënia e sulmuesit argjentinas dhe Interit është e parikuperueshme dhe se tashmë Mauro Icardit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të kërkojë për një tjetër destinacion.

Juventusi duket në “pole position” për të marrë bomberin argjentinas, por bardhezinjtë nuk kanë ndërmend të investojnë, pa larguar më parë Gonzalo Higuainin dhe Mario Mandzukic, dy sulmues që nuk bëjnë pjesë në planet e Sarrit.

Skuadra të tjera që monitorojnë nga afër situatën e Icardit dhe janë gati të bëjnë ofertën e tyre, janë Napoli dhe Atletico Madrid, dy ekipe që nuk e kanë fshehur interesin për argjentinasin, por që ende nuk kanë bërë hapa konkretë.