Ibrahimovici e refuzon Milanin për Bolognan

Zlatan Ibrahimovic e ka zgjedhur Bolognan para Milanit dhe Napolit nëse përfundimisht rikthehet në Serie A. Opsion tjetër i mundshëm për suedezin është Manchester United.

38-vjeçari do të largohet nga MLS-ja sapo t’i mbarojë kontrata me LA Galaxy në dhjetor dhe kthimi në Evropë duket i pashmangshëm për të.

Është përfolur për një kthim të tij në Manchester Unitedi, ku luajti nga 2016 deri më 2018, por ai ka lënë të kuptohet se ka mundësi të rikthehet në Serie A.

Ish-klubi i tij, Milan, si dhe gjiganti tjetër italian, Napoli, kanë shprehur interesim për të, por sipas mediave italiane Bologna është favorite për shërbimet e tij.

Corriere dello Sport raporton se trajneri Sinisa Mihajlovic i ka telefonuar Ibrës dhe i ka bërë thirrje t’i bashkohet atij në Stadio Dall’Ara për t’u argëtuar dhe për ta zbavitur tërë Italinë.

Ibrahimovic është mik i mirë me Mihajlovic dhe pritet të vendosë për të ardhmen më 10 dhjetor.