Historike: Kosova merr fitoren e parë në kualifikime për Kampionat Europian

Përfaqësuesja e Kosovës ka bërë historinë, duke marrë fitoren e parë në histori në një ndeshje kualifikuese për Kampionat Europian.

Kosova e filloi takimin shumë mirë, duke rrezikuar disa herë portën bullgare.

I pari që hapi serinë e golave ishte i jashtëzakonshmi Milot Rashica, i cili shënoi edhe ndaj Malit të Zi.

Por, përkundër dominimit, ndeshja e parë përfundoi në barazim pas golit të Popov.

Në pjesën e dytë ishin vendasit ata që e filluan më mirë, por Kosova dalëngadalë u këndell dhe filloi ta rimarrë lojën në dorë.

Kur po luhej minuta e 55-të, në skenë doli Kristian Dimitrov, i cili shënoi me kokë, pas krosimit nga goditja nga këndi. Ai u gjend i pamarkuar në zonë dhe e mposhti portierin tonë.

Kosova filloi të ushtrojë presion, e vetëdijeshme se vetëm fitorja do të kryente punë. Kështu, në minutën e 62-të, trajneri ynë kreu dy zëvendësime, duke inkuadruar Hadergjonajn në vend të Vojvodës dhe Rashkajn në vend të Vocës.

Këto dy zëvendësime dolën tejet të qëlluara, pasi që dy lojtarët e inkuadruar në lojë e ndërruan tërësisht ritmin, duke i dhënë Kosovës më shumë energji dhe kontroll të ndeshjes. Rashkaj, me përvojën e tij, gjithmonë i saktë në pasime dhe shumë i mirë në mbajtjen e topit, ndërsa Hadergjonaj shpërthyes nga krahu i djathtë.

Vetëm 2 minuta pas inkuadrimit të të lartpërmendurve, Vedat Muriqi shënoi një gol të mirë me kokë për ta barazuar rezultatin.

Pas këtij goli, Kosova pati një mori rastesh me Rashicën, Celinën e Muriqin, por nuk arriti të shënojë.

Duke e parë që ndeshja po përfundote, Challendes kreu zëvendësimin e fundit, duke larguar nga loja Zhegrovën e duke e inkuadruar Elbasan Rashanin. Ky i fundit shpërdoroi dy raste shumë të mira.

Muriqi shënoi përsëri gol me kokë, por kësaj rradhe goli u anulua për pozitë jashtë loje. E, pas shumë rasteve të shpërdoruara, në minutën e 92-të, Kosova arriti të shënojë. Këtë herë goli i rregullt, Dardanët shpërthejnë në festë.

Pas kësaj fitoreje spektakolare, plotësisht të merituar, Kosova ruan vendin e tretë me 5 pikë, një më pak se Republika Çeke, e cila mban vendin e dytë.