Hidhet shori për Superligën shqiptare

Është hedhur shorti për javën e parë të Superligës shqiptare në futboll
Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar kalendarin e Kategorisë Superiore rreth dy muaj përpara fillimit të sezonit të ri.

Shorti i hedhur pranë zyrave të FSHF-së ka përcaktuar rrugëtimin e 10 skuadrave të Kategorisë Superiore për 36 javët e kampionatit të ardhshëm.

Kampionati nis më 9 shtator, kur kampionëve në fuqi të Kukësit do t’iu duhet të përballen me skuadrën e sapongjitur në Kategorinë Superiore, Kamzën.

Partizani pret Laçin, ndërkohë që Skënderbeut, shorti i vuri përballë skuadrën e Flamurtarit. Jo më pak interesante është edhe sfida mes Teutës dhe Luftëtarit, ndërsa Lushnja do të presë skuadrën e Vllaznisë.

Sa u përket ndeshjeve me më shumë rivalitet të viteve të fundit, ato fillojnë nga java e dytë me sfidën Partizani-Kukësi, dy skuadrat që zunë dy vendet e para sezonin e kaluar, ndërsa në javën e tretë Skënderbeu do të presë “të kuqtë” kryeqytetas, për të udhëtuar më pas drejt Kukësit.

Sa i përket kësaj shtyrjeje të fillimit të sezonit të ri, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku tregon arsyet.

“U kemi dërguar nga një shkresë klubeve dhe 7 nga 10 ishin gati që ta fillonin kampionatin në këtë datë. I kemi përllogaritur të gjitha gjërat shumë mirë, për këtë arsye nuk do të ketë ngjeshje të ndeshjeve në këtë sezon”, tha Ilir Shulku, sekretar i FSHF-së.

Një nga arsyet e shtyrjes së sezonit të ri lidhet edhe me rikonstruksionin sipas kritereve të Kategorisë Superiore të stadiumeve të Lushnjes dhe të Kamzës, të sapongjitura në Kategorinë Superiore.