Hazard ende me paterica, para El Clasicos

Rreth dy javë para El Clasicos së 18 dhjetorit, Real Madridi vazhdon të jetë në ankth rreth gjendjes fizike të yllit të vet Eden Hazard, i cili ende nuk i ka hequr patericat pas lëndimit që e pësoi javën e kaluar në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi belg u fotografua duke ecur me paterica të mërkurën mbrëma në darkën e Krishtlindjes me bashkëlojtarët e Real Madridit.

Ato ishin pamje që i shqetësuan shumë përkrahës të Hazardit, të cilët kanë frikë se ai nuk do t’ia dalë të luajë kundër Barcelonës më 18 dhjetor, pas lëndimit që e pësoi në nyje të këmbës në një ndeshje kundër Paris Saint-Germain.

Hazardin e solli bashkatdhetari i vet, Thibaut Courtois, në restorantin Filandon dhe u duk se kishte vështirësi të mëdha për të lëvizur.

Ai nuk ishte në gjendje të voziste vetë apo të qëndronte në këmbë për të bërë fotografi në restorant, gjë që sugjeron se ai nuk mund të ushtrojë peshë fare në nyjën e këmbës së djathtë.

Kjo e vë në dyshim serioz paraqitjen e tij kundër Barçës në Camp Nou.