Guangzhou përgënjeshtron blerjen e Aubameyang

Klubi kinez është futur në telashe të mëdha me federatën e këtij shteti.

Pierre Emeric Aubameyenag është shndërruar në një çështje diskutimi në Kinë. Guangzhou Evergrande, është detyruar të përgënjeshtrojë zërat për një marrëveshje me Borussia Dortmundin për transferimin e sulmuesit me origjinë nga Gaboni për 72 milionë euro gjatë verës së ardhshme.

Edhe Federata Kineze e Futbolli ka reaguar për këtë çështje, duke nisur një hetim ndaj klubit që sipas tyre ka thyer rregullat e transferimit të lojtarëve.

Në komunikatën e Guangzhou thuhet: “Historia e blerjes së një futbollisti nga Bundesliga për një shifër që është ndjeshëm më e lartë se limiti i përcaktuar në rregulloren e federatës është e pavërtetë. Guangzhou Evergrande do të vijojë t’i respektojë rregullat për transferimet e lojtarëve.”

Reagim ka pasur edhe nga ana e federatës e cila i ka paralajmëruar klubet që dëshirojnë të bëjnë blerje që kalojnë rregulloren: “Dy klubeve që kanë nisur një luftë ekonomike për një lojtar të huaj (Guangzhou dhe Beijing Guoan) u kemi dërguar një letër për të shpjeguar situatën si dhe kemi nisur një hetim për të kuptuar nëse janë thyer rregullat. Në rast se vërtetohen parregullsitë, dënimet do të jenë të ashpra.”