Gjuajti me grusht kuajt e policisë, tifozi i Celtic dënohet me 10 muaj burg

Një tifoz i Celtic në Skoci është dënuar me 10 muaj burg, pasi ka është përplasur me forcat e sigurisë para një ndeshjeje dhe ka sulmuar me grushte kuajt ku ishin të hipur oficerët.

Ngjarja ka ndodhur më 19 janar, kur Celtic luajti në Kupë, në transfertën ndaj Airdrie dhe fitoi me rezultatin 0-3, por tifozi u përplas me oficerët e policisë para ndeshjes dhe tani do të duhet të përballet me pasojat.

Tifozi është 36-vjeçari Kevin MeGuire, ndërsa dënimi ndaj tij është dhënë me motivacionin e shkaktimit të vuajtjeve të panevojshme ndaj kuajve të policisë, si dhe ofendimin dhe kërcënimin e oficerëve.

Pozitat e tifozit rëndohen edhe më shumë nga fakti që ndaj tij kishte një urdhër ndalimi për t’u futur në stadiumet e Mbretërisë së Bashkuar, ndonëse vetë 36-vjeçari u mbrojt duke thënë se ishte një kalimtar i rastit pranë stadiumit.

“I kam kërkuar të largohet dhe i ka dhënë një grusht të fortë kalit tim, Oban. Më pas qëlloi edhe një kalë tjetër të forcave të policisë, Nerston”, deklaroi rreshteri Mark Stewart në gjykatë, për incidentin në fjalë.