Gattuso paralajmëron Juventusin para finales

Çfarë skuadre dëshironi të shihni nesër në fushë?

Milani po përgatitet për t’u përballur me Juventusin në sfidën e vlefshme për Superkupën e Italisë.

Në konferencën për shtyp të organizuar pasditen e sotme, tekniku i Milanit, Gennaro Gattuso, ka folur për gjendjen e skuadrës para sfidës kundër skuadrës torineze.

Juventusi dhe Milani nesër do të luftojnë për trofeun e parë sezonal, Superkupën e Italisë, e cila do të luhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ora 18:30.

“Të njëjtin Milan që u përball me Juven rreth 8 muaj më parë. Skuadër që luan pa frikë dhe në fushë të hapur. Do të vuajmë shumë, por nuk dua të shoh lojtarë që dorëzohen sapo bëjnë gabimin e parë. Nëse do të luajmë me kokën lart, jam i sigurt se do të vëmë në vështirësi Juventusin”.

“Do të përballemi me një skuadër që dominon prej vitesh futbollin italian dhe për më tepër di si t’i luajë sfida të tilla. Ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar, pasi në futboll jo gjithmonë fiton më i miri, por për të shpresuar, duhet të bëjmë ndeshjen perfekte, duke qëndruar të qetë në fushën e lojës”.

A është Superkupa një shans për Milanin?

“Unë mendoj vetëm që të gabojmë sa më pak të jetë e mundur dhe të marrim më të mirën nga ky takim. Mendoj për lojtarët e mi, të cilët janë të rinj dhe mund të fitojnë shumë nga kjo finale. Dua t’i bind se mund të fitohet gjithmonë, nëse sillesh në mënyrën e duhur në fushën e lojës, Nëse ia dalim, do të jetë një dozë e madhe vetëbesimi”.