Gattuso beson në kualifikim: Në Londër nuk shkojmë për pushime

Trajneri i Milanit nuk i ka humbur shpresat për kualifikim në raundin tjetër të Ligës së Evropës.

Milani ka humbur ndeshjen e parë të zhvilluar në San Siro nga Arsenali 0:2 dhe gjasat për kualifikim tutje janë mjaftë të vogla për ekipin italian.

Këtë të enjte Rossonerët udhëtojnë drejt Londrës për ndeshjen e kthimit ndaj Topçinjve dhe sipas trajnerit të Milanit, Gennaro Gattuso, skuadra e tij nuk shkon në kryeqytetin e Anglisë vetëm për pushime, por do të kërkojë kalimin në çerekfinale.

“Pas ndeshjes së të enjtes kam dëgjuar shumë akuza në drejtim të skuadrës, sesi vuajtëm fizikisht ndaj Arsenalit”, ka thënë Gattuso për Mediaset.

“Por unë mendoj se iu qasëm në mënyrë të gabuar ndeshjes ndaj një ekipi të fortë siç është Arsenali. Këtë e kemi kuptuar dhe do të provojmë ta përmirësojmë”.

“Kemi ende 30 për qind shanse për t’u kualifikuar dhe nuk shkojmë në Londër për pushime. Duhet ta respektojmë këtë fanellë”, ka theksuar ai.