Gani Sejdiu, tregon se kush do ta fitojë ndeshjen finale

Trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu, është duke shkruar histori me skuadrën nga Drenasi.

Ai, përveç që është shumë afër titullit të kampionit, të mërkurën e ka dërguar ekipin edhe në finale të “Digitalb Kupës së Kosovës”, ku do të luaj me Trepçën ’89, e cila e mënjanoi Besën.

Në një intervistë për Gazetën Tribuna, Sejdiu ka thënë se është optimist për ndeshjen finale, të cilën sipas tij, do të vendosin detajet.

“Finalja është finale dhe nuk ka aty kalkulime. Një ndeshje të tillë e vendosin detajet. Ajo skuadër e cila do të tregohet më cinike, e kam fjalën cinike në shfrytëzimin e rasteve të pakta që do të jenë, do të dal fituese. Mendoj që do të jetë një ndeshje shumë e bukur, duke marr parasysh se të dyja skuadrat e dua suksesin dhe objektivi i vetëm është fitorja”, ka thënë Sejdiu.

Trajneri nga Mitrovica, u shpreh se puna e parë që ekipi duhet të bëjë, është të koncentrohet maksimalisht te ndeshja e fundit e kampionatit kundër Prishtinës, e pastaj të mendoj për finale.

“Kemi qenë në presion të madh, pasi nuk kemi guxuar të rrezikojmë shumë, duke e ditur dhe duke menduar për ndeshjen kundër Prishtinës të dielën. Drenica ka treguar lojë të bukur, por mendoj që ne me meritë kemi hyrë në finale. Ne e kemi ndeshje me Prishtinën të dielën e më pas do të koncentrohemi maksimalisht për ndeshjen finale”, nënvizoi Sejdiu.

I pyetur se a do ta dëshironte më shumë Besën në finale se sa Trepçën ‘ 89, ai është shprehur: “Mund të them se të dyja skuadrat janë cilësore dhe e kanë bërë kampionatin shumë interesant. Nuk mund të them se cilën do ta dëshiroja sepse të dyja janë ekipe me lojtarë cilësor. Besa ishte afër finales dhe dy minuta pa përfunduar e humbi atë, megjithatë unë them se edhe Besa është finaliste me lojërat e bukura që ka treguar, e po ashtu edhe nëse nuk e fiton titullin, lirisht mund të them se janë kampion, sepse e bërë kampionatin shumë interesant”, tha trajneri i Feronikelit.

Në fund, ai u shpreh se skuadra që është duke e drejtuar, me plotë meritë ka arritur në finale të kupës dhe e cilësoi si një e arritur e madhe.

Finalja e madhe e Kupës, do të luhet me 13 ose 14 qershor./Gazeta Tribuna/