FIFA dhe UEFA kërcënojnë Greqinë

Greqia rrezikon të dalë nga Europa dhe nuk bëhet fjalë nga zona euro, por për Greqinë e futbollit. Përjashtimi nuk është një kërcënim që vjen nga trojka, por nga Fifa e Blatter dhe Uefa e Platini. Të dy organizmat ndërkombëtarë janë irrituar me ligjin e ri të qeverisë Syriza, i cili do të hidhet në votim mes 4 dhe 5 Majit, kundër dhunës në stadiume.

 

Në ligjin e ri i jepet pushtetit ekzekutiv grek,  tagri për të gjobitur deri në 17 milionë Euro klubet për dhunën në stadiume, duke i marrë në këtë mënyrë këtë pushtet dy organizmave maksimale të futbollit. Fifa dhe Uefa i janë drejtuar Parlamentit grek me një letër ku shkruhet. “Nëse kjo norme do të aprovohet nuk do të kemi asnjë zgjedhje tjetër përcse të përjashtojmë Federatën Greke të Futbollit”. E thënë më thjeshtë, nëse dicka e tillë ndodh, as Kombëtarja greke dhe asnjë klub nuk mund të marrë pjesë në Kompeticionet Ndërkombëtare.

Nga tonet e forta që po përdoren gjykohet se do të jetë e vështirë që raportet të përmirësohen. ” Kontrollet e Uefa-s dhe Fifa-s qartësisht kanë dështuar këtë e demonstrojnë faktet dhe ne nuk do të bëjmë hapa pas”, – deklaroi zv/ministri grek i sportit Stavros Kontonis, duke i ftuar të dyja institucionet futbollistike për një takim por duke paralajmëruar. “Sigurisht që nuk do të ndryshojmë filozofinë e ligjit tonë për Uefan dhe Fifan, por me sa duket Uefa dhe Fifa më shumë se sa për të shpëtuar sportin, mendojnë të destabilizojnë rendin kushtetues në vendin tonë”.