Federer nuk njeh limite, për herë të 12-të në finale të Wimbledonit

Roger Federer nuk njeh limite. Tenisti veteran zvicëran mposhti 3-1 më sete, 7-6,1-6, 6-3, 6-4, Rafael Nadal dhe kualifikohet në finalen e Wimbledonit, ku e pret një tjetër tenist i madh i epokës së tij, serbi Novak Djokovic.

“Mbreti” Federer e eliminoi spanjollin në pak më shumë se tre orë lojë. Setin e parë 37-vjeçari e fitoi me “tie break”, por më pas la shumë terren, duke u dorëzuar shumë shpejt në setin e dytë (fitoi vetëm 1 lojë).

Sigurisht Federer e ka në stilin e tij që të mos harxhojë energji të kota kur e sheh që kundërshtari i tij është në epërsi. Kjo strategji i shërben për frymëmarrje e për të reaguar menjëherë në setet pasardhëse, sikurse ndodhi edhe ndaj Nadalit. Pasi fitoi 6-3 setin e tretë, Federer shpërdoroi 2 “match point” në lojën e 9-të të setit të katërt, teksa kryesonte 5-3. Edhe në lojën pasardhëse Nadal mundi t’i anulonte 2 “match point”, por u detyrua në fund të dorëzohej 6-4.

Roger Federer, që muajin e ardhshëm do të mbushë 38-vjeç, do të luajë ndaj Novak Djokovic finalen e tij të 12-të në Wimbledon, turne të cilin e ka fituar 8 herë