Dybala refuzon Barcelonën, do Juventusin

Juventusi e thërret, Paulo Dybala i përgjigjet. Sulmuesi i Palermos, i cili me shumë gjasa do të largohet nga Siçilia në fund të sezonit, i ka dërguar një mesazh të qartë bardhezinjve. Kalimi i Dybala te Juventusi për momentin është hipoteza më realiste, me argjentinasin që i vetëofrohet Zonjës së Vjetër përmes një interviste ku flet për Zamparinin, kombëtaren, dëshirat e objektivat që ka.

“Zamparini është një nga admiruesit e mi më të mëdhenj. Ai ka besuar te unë edhe kur më kritikonin, e falenderoj për besimin që ka treguar dhe besoj se është e drejtë që të fitojë sa më shumë nga shitja ime. Në lidhje me rolin tim te Argjentina mendoj se është ende herët. Kam folur me Martinon, por në skuadër ka lojtarë shumë të fortë”.

Në vijim vjen edhe shkelja e syrit për Juventusin, është një ftesë e hapur për drejtuesit e bardhezinjve.

“Do të më pëlqente të luaja në Champions League, nuk mund ta mohoj. Nëse do të kisha një lojtar si Pirlo prapa krahëve, gjithçka do të ishte më e lehtë. Për një sulmues, Pirlo i lehtëson shumë vështirësitë, do të ishte maksimumi për mua”.

Në merkato ndërkohë nuk është vetëm Juventusi, por edhe Paris Saint Germain që e kërkon. Dybala pohoi se do t’i pëlqente të luante përkrah Ibrahimoviç, edhe pse dha një tjetër sinjal se me shumë gjasa do të qëndrojë në Serinë A, kur tha se nuk do të festonte nëse i shënon Palermos.