Draxler i dëshpëruar pas eliminimit: Nuk merituam më shumë

Paris Saint-Germain edhe njëherë largohet nga Liga e Kampionëve në 1/8 e finales.

PSG nuk arriti dot as çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dhe kritikat ndaj projektit të Nasser Al-Khelaifit janë shtuar shumë në orët e fundit.

Madje, edhe brenda skuadrës ka kritika ndaj Presidentit të klubit që u mposht dy herë nga Real Madrid. Julian Draxler, i cili hyri në fushën e lojës kur ndeshja ishte barazim 1-1, u shpreh se shpenzimet marramendëse nuk sollën asgjë.

“Reali luajti i qetë. E qarkulluam mirë topin, por nuk mund të fitosh vetëm me qarkullim”, ka thënë Draxler.

“Duhet t’i bësh presion Realit kur je duke humbur. Nuk mund të vazhdosh me pasime të shpeshta dhe të presësh që goli të bëhet vetë. E merituam eliminimin. Këtë verë shpenzuam 400 milionë euro dhe në fund nuk shkuam as në çerekfinale”, tha ai për një televizion gjerman.