De Boer me kritika tjera për Mourinhon

Trajneri holandez nuk i ka pritur mirë fjalët e fundit nga Jose Mourinho.

Disa orë pasi Jose Mourinho kishte thënë për Frank de Boerin se është “trajneri më i keq në historinë e Premier Ligë”, holandezi shpjegoi eliminimin e Manchester United ndaj Sevilla në 1/8 e Ligës së Kampionëve.

“Mourinho mund të thotë se jam trajneri më i keq në historinë e Premier Ligës, por ai ka shpenzuar 900 milionë euro dhe skuadrat e tij luajnë kështu…”, tha De Boer në Bein Sports.

Polemika De Boer-Mourinho nisi kur holandezi tha se Marcus Rashford duhet të luajë nën urdhrat e një trajneri tjetër tani që te “Djajtë e Kuq” erdhi Alexis Sanchez, i cili mund t’i heqë minuta të riut anglez.

Mourinho u përgjigj duke thënë se Rashfordit nuk i duhet një trajner si De Boer, pasi do të mësohej duke humbur.