Curry shkëlqen me 42 pikë në triumfin e Warriors ndaj Cavaliers

Mbrëmë janë zhvilluar dhjetë ndeshje në ligën më të fortë të basketbollit në botë.

Golden State Warriors po vazhdojnë me paraqitje të mira dhe në stilin e kampionit të NBA-s, ka arritur edhe një fitore.

‘Luftëtarët’ kësaj radhe triumfuan kundër skuadrës së Cleveland Cavaliers me rezultat 129:105.

Vetëm çereku i dytë i takoi skuadrës mysafire gjersa në tri të tjerat vendasit ishin më të mirë.

Basketbollisti më efikas te Warriors ishte Stephen Curry, i cili realizoi plotë 42 pikë gjersa ‘double-double’ regjistroi Kevin Durant, i cili shënoi 25 pikë dhe pati dhjetë kërcime.

Te Cavs më i miri ishte Collin Sexton, i cili realizoi 21 pikë ndërsa Jordan Clarkson shtoi 17 sosh, por që nuk ishin të mjaftueshme që të shmangin humbje .
 Pas kësaj, Golden State ka bilanc prej 17 fitoreve dhe nëntë humbje gjersa për Clevelandin kjo ishte humbja e 19 kundrejt pesë triumfeve.

Ndryshe, Warriors në takimin e radhës do të takohen me Milwaukee Bucks gjersa Cavaliers do të luajnë kundër Sacramento Kings.