Coman: “Gati të nënshkruaj një kontratë të përjetshme me Bayernin”

Që Philipp Lahm do ta përfundojë karrierën te Bayern, kjo është e qartë. Kapiteni i rekordmenëve gjermanë është 32 vjeç dhe Munich për të është shtëpia e dytë. Por kur një 19 vjeçar flet për t’i dhënë fund karrierës te Bayern, atëherë kjo deklaratë bie goxha në sy. Kinglsey Coman është që prej verës së kaluar pjesë e klubit, i cili është i huazuar nga Juventus, dhe ka një opsion blerjeje prej 21 milionë euro. Por që tani lojtari duket se nuk ka ndër mend të luajë për ndonjë klub tjetër.

“Lojtarët me karrierë të suksesshme, normalisht nuk ndërrojnë shumë ekipe, Jam që tani në një prej tre ekipeve më të mira në botë, dhe nuk do të isha kundër një kontrate të përjetshme te Bayern,” shprehet francezi për emisionin “Telefoot”.

Lojtari, megjithëse është i ri dhe ka një konkurrencë të madhe në ekip, ka arritur të japë kontributin e tij me shpresë që Bayern ta paguajë shumën e kërkuar për të.

“Pep më tha gjatë një zëvendësimi që duhet të jap gjithçka, dhe të ndikoj në rrjedhën e ndeshjes. Për mendimin tim ai është trajneri më i mirë në botë në aspektin taktik.”

Coman ndryshoi lojën kur u zëvendësua në ndeshjen kundër Juve-s.

“Fitorja kundër Juventus-it, është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në karrierën time.”