Briken Calja e fiton medaljen e bronztë në Botërorin e Peshëngritjes

Briken Calja është renditur i treti në stilin e shkëputjes në peshën 73 kilogramë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, turne që po zhvillohet në Tajvan.

Në këtë stil, Calja ngriti 156 kilogramë, duke marrë medaljen e bronztë.Ndërsa në stilin e shtytjes, ai u klasifikua në vendin e 13-të, me 181 kilogramë.

 Për pasojë, Briken Calja e mbylli konkurrimin në dygarësh në vendin e pestë, me 337 kg (garoi në Baterinë A).

Në shkëputje, Calja i realizoi me sukses të dyja provat, me 151kg dhe 156kg, por në nuk u ngjit fare në pedane për provën e tretë. Në shtytje, Calja realizoi me sukses vetëm provën e parë, me 181 kilogramë, por nuk arrin të realizojë dy provat e tjera, me 190 kilogramë.

Në pedanë për Shqipërinë në këtë Botëror do të garojnë edhe Daniel Godelli e Erkland Qerimaj (të dy në peshën 81 kilogramë) si dhe Krenar Shoraj në peshën 89 kilogramë.