Bolt e injoron Gayn

Usain Bolt nuk e njeh Tyson Gay si rival. Kampioni olimpik xhamajkan sulmoi ashpër sprinterin amerikan duke deklaruar se ai nuk e meriton të garojë sërish. Gay dështoi në tre teste antidopiungu në 2013, pasi kishte përdorur një krem me bazë steroidësh, por u dënua me vetëm një vit pezullim pasi bashkëpunoi me Usada-n, agjensinë amerikane të anti-dopingut. Teza e Bolt është se dënimi i dhënë për Tyson Gay është shumë i lehtë dhe ky është një mesazh i gabuar që i jepet botës së sportit.

“U nxeha me të vërtetë kur pashë që i dhanë vetëm një vit pezullim. Një dënim i lehtë vetëm sepse tregoi se cfarë kishte bërë dhe kush e ndihmoi. Kjo është e gabuar, pasi mesazhi që jepet është i gabuar, pra që mund të bësh cfarë të duash dhe nëse të kapin mjafton të tregosh gjithcka për të përfituar faljen”.

Për Bolt, kjo mbi të gjitha është një cështje respekti për parimet.

“Nëse nuk je korrekt atëherë duhet të të hedhin jashtë botës së sportit. Nuk më bëhet të garoj kundër Tyson Gay, është me të vërtetë dicka që më bezdis. Nuk është se kam frikë se më mund, por sepse unë gjithmonë e kam respektuar dhe madje konkurenca me të më ka shtyrë të përmirësohem. Tani kur marr vesh që ishte i fortë falë dopingut, është me të vërtetë një zhgënjim i madh”.

Atletët janë shfaqur shumë të ndjeshëm ndaj temës së dopingut, në fillim të sezonit, shumë sportistë ju kundërvunë markës Nike, pasi nënshkroi një kontratë me Justin Gatlin, i cili vinte pas një skualifikimi 2-vjecar.