Berisha: Nuk kemi mundur asnjëri ta tregojmë vetën

Valon Berisha ka dhënë komentet e tij pas humbjes në ‘Doosan Arena’.

Ylli i mesfushës së Kosovës ka kritkuar fillimisht vetën e tij, pastaj ka treguar edhe ngecjet e skuadrës.

Më poshtë Tribuna ua përcjell intervistën e Berishës.

“Besoj se sot kur duhej të tregonim vetën, ne nuk mund të bënim asgjë. Nuk treguam vetën. E nisëm mirë në pjesën e dytë, por kur duhej të vazhdonim për golin e dytë, ata filluan të luajnë fizikisht dhe ndodhën gabimet, kur ne humbëm lojën. Nuk mund të luftonim jo për njëri tjetrin, por as për Kosovën.”

“Pjesa e parë ishte më e dobëta që mbaj mend. Gola e parë duhej të na sillte energji, duhej të mbronim fitoren, por 30 minuta nën presion, ndodhi edhe gabimi, kështu që ishte një humbje shumë e keqe për ne. Na vije keq, kishte tifozë që na përkrahen, na vjen keq për të gjithë që nuk realizuam fitoren. E dimë se kemi edhe një shans në Ligën e Kombeve, kundër Maqedonisë, por këtu nuk treguam vetën.”

“Nuk jam i kënaqur me vetën. Nuk flas për dikë tjetër. Nisëm nga vetja. Nuk mundëm asnjëri që të tregojmë vetën. Nuk funksionoi ekipa. Ishte e vështirë që të identifikojmë problemin e saktë.”

“Mungesa kemi pasur edhe në ndeshje tjera, por kishim zëvendësues që mbulonin rrolin e tyre dhe jepnin 100%. Besoj se edhe sot donim, por nuk e realizuam dëshirën. Nuk treguam as 50% tonë” tha Berisha.