Bartra për Vinicus: Më shau tre herë nënën

Tensione mes futbollistëve ka pasur në ndeshjen e mbrëmshme mes Betis dhe Real Madrid.

Reali Madridi siguroi fitoren e parë në kampionat për vitin 2019, duke fituar 2-1 në një fushë të vështirë si ajo e Betisit.

Golat e Luka Modriç dhe Dani Ceballos i dhanë tre pikë ekipit të Santiago Solarit.

Ndeshja ishte e fortë dhe dhuroi gjithçka, madje nuk munguan as fyerjet dhe përplasjet midis lojtarëve.

Protagonistët ishin Vinicius i Realit dhe Marc Bartra i ekipit vendas. Ish-katalanasi ka treguar për “Marca” episodin e ndodhur me sulmuesin brazilian, duke pretenduar se është ofenduar nga ai.

“Vinicius kalonte më shumë kohë i shtrirë në fushë sesa në këmbë”, tha Bartra. “I thashë që duhet t’i jepte fund simulimeve, por ai më fyeu tre herë, madje më shau dhe nënën”.

“Ai ka akoma shumë për të mësuar, por nuk mendoj se këto janë sjellje të denja për një lojtar të Real Madridit“, sqaron qendërmbrojtësi.