Barca dërgon raportin mjekësor të Dembele në La Liga – 72 orët vendimtare për lejen e ‘bonus-transferimit’

Barcelona është duke bërë maksimumin për të siguruar një transferim shtesë.

Skuadra nga ‘Camp Nou’ po përballet me shumë lëndime, të cilat kryesisht vijnë nga faza e sulmit, ku emra si Luis Suarez dhe Ousmane Dembele janë ata që hapin telashet më të mëdha.

Dyshja kanë lënë hapësira të mëdha në skuadër, duke bërë që edhe Quique Setien të shpreh haptazi nevojën për një sulmues.

Kështu, drejtuesit e Barcelonës kanë dërguar raportin mjekësor të Dembele në zyrat e La Liga, te komisioni mjekësor, për të vërtetuar se lojtari mungon më shumë se pesë muaj.

‘Cat Radio’ bën të ditur se La Liga kanë 72 orë në dispozicion për të kthyer përgjigje. Në anën tjetër, nëse Barcelona merr dritën e gjelbër, do të kenë 15 ditë në dispozicion për të kryer një transferim.

Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja e komisionit mjekësor të La Liga, për skuadrën e Barcelonës.