Asani optimist: shanset me 50:50, i presim dhe shenojmë

Partizani do të udhëtojë për në Baku me vetëdijen se përballë ka një kundërshtar i cili nuk bën shaka dhe ka një potencial teknik më të lartë, por, gjithsesi, shpresa për një kualifikim të mundshëm është e pranishme te “demat”. Jasir Asani është plotësisht gati për këtë sfidë, edhe pse e ka të qartë se do të jetë një mision shumë i vështirë.

Po përgatitemi çdo ditë për ndeshjen e kthimit, sepse na pret një përballje shumë e vështirë atje, por besoj se me ndihmën e stafit do të japim maksimumin që t’ia dalim.

Çdo skuadër ka një strategji për të shkuar te suksesi, trajneri Lerda nuk e zbuloi “formulën” e Partizanit ndaj Qarabagut, por një ndër futbollistët më të mirë të kësaj skuadre nuk e ka problem të heqë “vellon” e taktikës që do të përdoret në “Dalga Arena”

Ata kanë një ekip super, ndaj në minutat e para duhet t’i presim, për t’i sulmuar me kundërsulme.

Jasir Asani shfaqet optimist edhe sa i përket shanseve që kampionët e Shqipërisë kanë në këtë transfertë. Sipas tij, Karabaku nuk është i favorizuar.

Unë mendoj se shanset e kualifikimit janë 50 me 50. Edhe ne kemi skuadër shumë të mirë dhe po dhanë të gjithë lojtarët maksimumin besoj se do t’ia dalim.

Gol dhe kualifikim, kjo nuk ka rëndësi për 22-vjeçarin, e vetmja gjë që ka vlerë është kalimi i raundit, ndërsa e ardhmja nuk është një diskutim që i përket aktualitetit.

Duam fitore, nuk ka shumë rëndësi se kush do ta shënojë golin. A ardhmja? Tani për tani mendoj vetëm për këtë ndeshje.