Ancelotti si një baba për Verratin

Marco Verratti është një nga lojtarët më të aktivizuar në radhët e Paris Saint Germain. Pasi u ble nga Pescara dy sezone më parë, mesfushori italian ka arritur të fitojë besimin e plotë të trajnerit Laurent Blanc por ai dëshiron të falënderojë Carlo Ancelottin, nën drejtimin e të cilit u rrit shumë si lojtar.

“Kur erdha në Paris isha shumë i ri dhe kam jetuar momente shumë të vështira. Ancelotti më ndihmoi shumë si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai më mësoi si të sillem dhe mund të them se për mua ka qenë si një baba. Carlo është një njeri i jashtëzakonshëm dhe arrin të krijojë një marrëdhënie të veçantë me lojtarët”.

Gjatë sezonit të parë në Paris, Verratti dhe Ancelotti fituan kampionatin francez, ndërsa një vit më pas italiani u largua nga Ligue 1 për t’u bashkuar me Real Madrid. Për teknikun italian, mesfushori është një lojtar me shumë vlera por ai shton se nuk ka tentuar asnjëherë ta transferojë në “Bernabeu”. Sipas tij, Verratti është një nga lojtarët e paprekshëm në Paris pasi drejtuesit e skuadrës nuk dëshirojnë të heqin dorë nga një prej mesfushorëve më të mirë në qarkullim.