​Iniesta merr një ofertë të çmendur nga Kina

Klubi kinez Tianjin Quanjin i ka bërë një ofertë marramendëse mesfushorit të Barcelonës.

Klubet kineze jo rrallëherë kanë çuditur me ofertat e tyre të larta për yjet e futbollit, por kjo e Tianjin Quanjin është e veçantë, me skuadrën që është gati të bëjë gjithçka për të bindur Andres Iniestën që të nënshkruajë për ta.

Drejtuesit e klubit kanë menduar mirë për ta bindur Iniestan, madje janë gati të blejnë edhe plot 2 milionë shishe verë të prodhuar nga kompania “Bodega Iniesta de Manchauala” që është nën pronësinë e mesfushorit të Barcelonës i cili që nga 2010 është edhe prodhues vere.

Siç bëjnë të ditur mediat spanjolle dhe ato gjermane, klubi kinez që ka trajner Paulo Sosa-n, jo vetëm që është gati ti paguajë Iniestës plot 35 milionë euro në vit, por i ka premtuar edhe një klauzolë për verën në kontratë, duke i garantuar blerjen e plot 2 milionë shisheve nga marka e tij, për të rritur shanset që të sigurojë 33-vjeçarin spanjoll që pasi ka fituar gjithçka me Barcelonën, mund të vendosë të provojë një sfidë ndryshe në qershorin e ardhshëm.