​Basha pranë largimit nga Torino

Migjen Basha pritet t’i japë fund pas katër vitesh aventurës së tij te Torino.

Mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Migjen Basha i skadon kontrata me klubin torinez dhe duke parë që ka luajtur shumë pak gjatë sezonit që sapo u mbyll, vështirë se do të qëndrojë nën urdhrat e trajnerit Ventura, shkruan Supersport.

Dëmtimet e njëpasnjëshme që ka pësuar gjatë dy sezoneve të fundit kanë ndikuar në rendimentin e tij të ulët në fushën e blertë, çka është reflektuar edhe në mungesën e tij në formacion në Kombëtaren Shqiptare.

Basha gjatë sezonit të fundit është aktivizuar në vetëm 6 ndeshje të Serisë A, duke dhënë një kontribut minimal për Torinon.

Sipas mediave italiane, 28-vjeçari është me valixhe në dorë, pasi klubi i Torinos nuk ka dhënë sinjale për një rinovim të mundshëm të kontratës.

Edhe gjatë merkatos së janarit u përfol gjatë për një largim të mundshëm të Bashës, por ofertat në drejtim të tij nga skuadrat e Serisë B nuk ishin të kënaqshme.

Tashmë mbetet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e mesfushorit kuqezi, i cili mund të preferojë një eksperiencë jashtë Italisë.