​ Warriors nuk kanë të ndalur

Kampionët në fuqi të NBA, marshojnë drejt një fitoreje tjetër.

Në fushën e vet Golden State Warriors është një prej ekipeve më të forta në NBA, por këtë stinor ata janë duke u treguar më të mirë në ndeshjet jashtë. Këtë më së miri e tregon edhe fakti që me triumfin ndaj Chicago Bulls me rezultat 119:112, Warriors kanë çuar në 14 numrin rresht të fitoreve si mysafir. Ekipit t të Steve Kerr i duhen edhe tri fitore për të thyer rekordin e Los Angeles Lakers që në stinorin 1971/72 kishin arritur të fitonin 16 ndeshje radhazi si mysafir.

Për t’iu kthyer takimit ndaj Bulls, ndonëse me mungesat e Draymond Green dhe Andre Iguodala, kampionët e NBA ia dolën të triumfonin ndaj Bulls, falë paraqitjes së jashtëzakonshme të Klay Thompson, i cili realizoi 38 pikë. Steph Curry shtoi 30 të tjera, kurse Kevin Durant u ndal në 19 pikë të shënuara.

Triumfon edhe Oklahoma City Thunder, që ia shkakton humbjen e dytë rresht Los Angeles Lakers, duke i mundurr me rezultat 114:90. Thunder të prirë nga Carmelo Anthony që realizoi 27 pikë e siguruan fitoren qysh në periudhën e tretë të cilën e dominuan duke e fituar me rezultat 33:15. Steven Adams shtoi 21 pikë të tjera, kurse te Lakers u dallua Julius Randle me 16 pikë.

LaMarcus Aldrige në formë të shkëlqyer udhëhoqi San Antonion drejt një fitoreje sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, ndaj skuadrës së Brooklyn Nets.

Në mungesë të Kawhi Leonard që është i lënduar , Aldridge është ylli ku varen të gjitha shpresat e Spurs. 34 pikë dhe 8 kërcime koleksionoi ky i fundit në suksesin e San Antonios me rezultat 100:95.

Spurs janë ekipi i tretë në Konferencën e Perëndimit, pas Golden State Warriors dhe Houston Rockets.