Shqip English

Fëmijët me sindromin ‘Down’ emocionojnë audiencën

09:02 / E premte, 22 Mars 2013
0

Nga: Edona Zeqiri

Pranvera erdhi, por ajo sot kishte zbritur pikërisht në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku bukuroshët e vegjël të prekur nga Sindromi ‘Down’ do të recitonin e vallëzonin. Bari e lulet ishin të improvizuara nga balonat, por fluturat e pëllumbat që po e përmbushnin këtë ditë ishin vetë ata. Salla ishte stërmbushur , por nga dëshira që fëmijët e tyre po kënaqeshin gjysma e prindërve qëndruan në këmbë deri në përfundim të programit.

Skena u ndriçua nga një dritë, të gjithë pritën çfarë do të sillte ajo, dhe ja doli një nënë më djalin e saj, duke e përshëndetur publikun dhe në dorë mbante shkronjën “T”, kështu bën edhe 11 nëna të tjera , duke ardhur në skenë për të formuar fjalinë “Ti nuk je vetëm” , përderisa nënat u emocionuan, fëmijët buzëqeshnin dhe përshëndetnin me dorë. Po shënohej Dita Botërore e Fëmijëve me Sindromin Down, e këtë na e tregoi Medina Surdolli gjithashtu e prekur nga ky sindrom, e cila ishte prezantuese e këtij programi.

Duartrokitjet e shumta nuk e lenin as të vazhdonte të fliste, audienca po u jepte zemër më tepër se kurrë. Ajo ftoi në skenë Driton Bajraktarin nga “Down Sindrom Kosova”, dhe Gëzim Kasapollin nga Ministria e Integrimeve Evropiane, ku të dy vetëm përshëndetën mysafirët e në veçanti fëmijët duke u lënë hapësirë për programin dhe duke iu thënë që do t’i përkrahnin gjithmonë. “E veçanta e programit të këtij viti ishte se shkolla të ndryshme iu kishin ofruar që të bashkëpunonin me ‘Down Sindrom Kosova’, duke organizuar recitime dhe vallëzime dhe pantonima me fëmijët që vijonin mësimin në këto shkolla”, ka thënë Leonora Shabani, nga “DSK”.

Programi filloi me një balet nga një shkollë e Prishtinës, duke vazhduar me fëmijë të një kopshti në Gjilan të cilët kishin përgatitur valle popullore. Audienca në sallë nuk mund të përmbahej, duartrokitjet nuk kishin të ndalur, ata fëmijë po shkëlqenin. Bashkë me duartrokitje bashkoheshin edhe lotët poshtë mjekrave të secilit. Programi vazhdoi me shkollën Prenk Jakova pastaj Emin Duraku, Ismail Qemali dhe një shkollë nga Mitrovica. Programi përfundoi me pikën e baletit “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”.

Nënat kërkojnë më shumë vetëdijesim

Qëndresa Dili një vajzë e vogël e prekur gjithashtu me sindromin tregoi që “vallja popullore i kishte pëlqyer më së shumti”. Ndërsa Mirsad Menxhiqi, me gjysmë zëri tregoi që atij i kishte pëlqyer tërë shfaqja, “shumë shumë më ka pëlqyer”, u shpreh ai. Kur të gjithë po përqafoheshin dhe po iu uronin fëmijëve të tyre, njëra nga nënat që ishin të pranishme, Nora Kastrati, tha që ka shumë përshtypje të mira pasi programi ka qenë i mahnitshëm.

“Shpresoj që me këto aktivitete edhe të tjerët të vetëdijesohen dhe t’u hapin rrugë për shkollim dhe për barazi”, ka thënë Kastrati. Programi artistik i fëmijëve me Sindrom Down u organizua për herë të shtatë në Prishtinë. Klubi për Bamirësi në AUK, Meridian Expres, Ministria e Integrimeve Evropiane ndihmuan realizimin e këtij programi. Të pranishëm në sallë ishin disa deputet, drejtor të shkollave dhe familjarë e fëmijë të shumtë.
 

Komento:

VËREJTJE: Gazeta Tribuna mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Nga Rubrika
Ballina e Gazetës 2 Shtator 2014
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Email: [email protected] Marketing: [email protected]
Telefon: 038 227 138 / 045 519 819 Marketing: 038 223 204 / 045 555 881
© Copyright 2014 - Gazeta Tribuna. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Site by Kreatoda