Shqip English

Restaurimi i Hamamit të vjetër do të nisë nga zero

08:56 / E premte, 31 Maj 2013
0

Nga: Bujar Vitija

 Komisioni për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave-Projekteve Restauruese-konservuese të Trashëgimisë Kulturore, në krye me Agim Gërgurin, ka dhënë rekomandimet për vazhdimin e punimeve në Hamamin e vjetër të Prishtinës. Ky Komision ka sugjeruar që llaçi që është përdorur në restaurim të hiqet dhe muret e brendshme të pastrohen. Këto rekomandime vijnë pas bërjes së analizave të llaçit të përdorur për restaurimin e objektit.

Këto analiza, për të cilat kishte raportuar ditë më par gazeta “Tribuna”, i ka bërë profesoresha Enkelejda Beqiraj, nga Universiteti Politeknik i Tiranës, e cila kishte konkluduar se llaçi që është përdorur në restaurim nuk ishte i njëjtë me atë origjinal të Hamamit. Beqiraj madje ka rekomanduar edhe elementet për përbërjen e llaçit origjinal. “Në vazhdën e takimeve të komisionit për Hamamin e Prishtinës, dhe pas arritjes së analizave laboratorike sa i përket llaçit në muret e brendshme të Hamamit, Komisioni i jep këto rekomandime: Të largohet llaçi i ri që është vendosur herën e fundit në muret e brendshme, d.m.th. vetëm llaçi i ri të largohet dhe të pastrohet sipërfaqja e murit deri në gurë”, thuhet në raportin e Komisionit.

Llaçi apo suvaja që pritet të përdoret për restaurim, sipas Komisionit, duhet të përbëhet nga: rëra, gëlqerja, copëza dhe pluhur tulle (qeramike, të thyera). Sasia që duhet të përdoret është katër hise rërë dhe një hise gëlqere, copëza dhe pluhur qeramike.

“Rekomandohet caktimi i organit mbikëqyrës ku të gjitha punimet ndryshimet të bëhen në përputhshmëri me organin mbikëqyrës”, vazhdon raporti. Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, ka thënë të mos jetë njoftuar nga askush për këto rekomandime. “Unë kam parë vetëm në media, ndërsa zyrtarisht nuk më ka ardhur asnjë njoftim. Nuk mund të flas asgjë pa i parë ato rekomandime”, ka thënë Dumoshi.

Në këtë raport është cekur edhe emri i drejtorit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, Haxhi Mehmetaj. Sipas raportit Komisioni është duke vazhduar takimet rreth Hamamit, me kërkesë të Mehmetaj, por ky i fundit ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga ky komision dhe nuk ka dëshiruar të prononcohet asgjë në lidhje me këto rekomandime.

Rekomandimet nga analizat e llaçit

Në raportin që Beqiraj e kishte përpiluar për rezultatet e analizave të llaçit, thuhej se materiali që ishte përdorur në restaurim, ishte shumë i paqëndrueshëm pasi tharmohej lehtë me dorë. “Kampioni P-H10, përfaqëson suvanë e përdorur për restaurim”, thuhet në raport.

“Është një suva me ngjyrë krem në bezhe shumë të lehtë. Është suva e butë e thërrmueshme lehtësisht me dorë dhe fortësi sipas shkallës së Mohsit 1-2. Është një suva jo-horasan”, është konstatuar nga analizat. Në fund të këtij aneksi, autorja ka dhënë edhe disa rekomandime, për ta përgatitur suvanë e njëjtë me atë origjinale.

“Nga studimi i materialit dhe krahasimit me atë të përdorur mund të rekomandoj: 1 - Rishikimin e burimit të lëndës së parë për rërën e përdorur në llaçin për suvanë e restaurimit. 2 - Plotësimin e materialit të përdorur me qeramikë të bluar të pranishme në Binder (v.j. lidhës) e Agregat, që do të çojë jo vetëm në prodhimin e një suvaje horasan të ngjashme me origjinalin, 3 - Këto do të çojnë edhe në arritjen e një raporti të duhur Lidhës/ Agregat”, ka shkruar Beqiraj. Këtë raport e ka interpretuar edhe drejtoresha ekzekutive e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Gjejlane Hoxha.

“Raporti me përshkrime dhe krahasime detale, konstaton që llaçi i përdorur për restaurim, përveç që nuk është kompaktibil me llaçin e vjetër, ai është shumë jocilësor dhe i paqëndrueshëm. Dallimi i përbërjes së llaçit të vjetër (autentik) dhe llaçit të ri të përdorur për restaurim është paraqitur në kampionet P-H1 deri P-H9 (përbërja e llaçit autentik/të vjetër) dhe P-H10,( llaçi i ri nga proceset e restaurimit)”, ka thënë Hoxha.
 

Komento:

VËREJTJE: Gazeta Tribuna mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Nga Rubrika
Ballina e Gazetës 29 Korrik 2014
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Email: [email protected] Marketing: [email protected]
Telefon: 038 227 138 / 045 519 819 Marketing: 038 223 204 / 045 555 881
© Copyright 2014 - Gazeta Tribuna. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Site by Kreatoda