Shqip English

Butrinti e magjeps vajzën e ish-presidentit Klinton

19:41 / E hënë, 12 Gusht 2013
0

Çelsi, vajza e vetme e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, ka vizituar të dielën Butrintin Antik. Sipas burimeve mësohet se vizita Çelsi Klinton në Butrint ishte private, ndërsa nuk ishin të njoftuar më parë për këtë vizitë as autoritetet e Parkut Kombëtar. Prej disa ditësh ajo ndodhet me pushime në Korfuz, ndërsa kishte planifikuar një vizitë edhe në Butrintin Antik. Ka qenë lordi anglez, Rothschild, ai që ka sjellë Çelsin në Butrint. Rreth orës 10:30 të së dielës, një jaht i bardhë u ankorua në limanin e Butrintit. Madje, ankorimi i jahtit nuk tërhoqi fare vëmendjen e atyre që ndodheshin atje, pasi banorë të zonës e kanë tashmë të njohur se me jahtin e bardhë vjen lordi anglez Rothschild dhe sjell për vizitë në Butrint personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, transmeton Panorama.

Askush nuk mori vesh se kush ishin miqtë e kësaj të diele që vizituan Butrintin. E veshur sportive dhe me një kapele me strehë në kokë krah përkrah me bashkëshortin e vet, Marc Mezvinsky dhe një grup miqsh Çelsi e paraprirë nga lordi Rothschild ka vizituar Butrintin. Për rreth 3 orë Butrinti është vizituar tërësisht nga miqtë e pazakontë. I pyetur për këtë vizitë, drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Rajmond Kola, tha se vizita ishte private. Madje, pak kohë para se të mbërrinin në Butrint është njoftuar për ardhjen e tyre. “Vizitorja e rrallë, – tha drejtori Kola, – ishte kurioze të dinte për Butrintin, ndërsa ka vizituar me kureshtje muzeun, Baptisterin, por edhe ‘Porta e Luanit’ dhe ‘Pusi i Nuseve’ i ka tërhequr vëmendjen.

Ajo gjithashtu ka qëndruar dhe ka parë me vëmendje edhe amfiteatrin”. Gjatë vizitës në Butrint e bija e ish – presidentit amerikan Bill Klinton ishte nën shoqërimin edhe të një grupi truprojash, rreth 10 të tillë, të cilët erdhën në Butrint me një gomone të madhe. Rreth orës 13:30, miqtë e ardhur mbaruan vizitën dhe u larguan përsëri me jaht drejt Korfuzit. Në nëntor të vitit të shkuar, Shqipërinë e vizitoi zyrtarisht e ëma e saj, Hillari Klinton, në cilësinë e sekretares së shtetit më të fuqishëm në botë.
 

Komento:

VËREJTJE: Gazeta Tribuna mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Nga Rubrika
Ballina e Gazetës 1 Shtator 2014
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Email: [email protected] Marketing: [email protected]
Telefon: 038 227 138 / 045 519 819 Marketing: 038 223 204 / 045 555 881
© Copyright 2014 - Gazeta Tribuna. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Site by Kreatoda