Shqip English
Në numrin e ri të Gazetës Tribuna:

Hoxhaj, Hoti, Ahmeti në ring për Prishtinën

11:12 / E martë, 13 Gusht 2013
1

Sipas burimeve të gazetës Lajm, Enver Hoxhaj (PDK), Abdullah Hoti (LDK) dhe Shpend Ahmeti (VV), do të marrin besimin e partive përkatëse për të garuar për kryetar të Prishtinës. Pasi edhe sipas sondazheve, këto janë edhe tri partitë e para në Prishtinë, atëherë, pritet një garë e fortë kësaj radhe, por nëse nuk ndodh ndonjë lëvizje tjetër në ditët në vijim, në avantazh në raport me dy të parët është Shpend Ahmeti.
Kryetari i Lidhja Demokratike të Kosovës, njëherit edhe kryetar i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ndonëse jep premtime që do të realizohen shumë projekte në këtë komunë, nuk sqaron nëse do të jetë ai që do t’i realizoj ato projekte, apo ndonjë bashkëpartiak i tij. Isa Mustafa, i pyetur dje nga mediet rreth emrit të kandidatit që do futet në garë për të udhëhequr me Prishtinën, ka thënë se në fillim të shtatorit do të dihet emri.

Por burime të gazetës thonë se brenda këtij subjekti politik, interesim për të kandiduar kanë shfaqur Ismet Beqiri, Haki Demolli dhe Abdullah Hoti. Kurse zërat se Isa Mustafa ende po hamendet a të konkurroj apo jo, një burim brenda partie, i ka kundërshtuar duke theksuar se nëse Mustafa kandidon edhe një herë në Prishtinë, atëherë zgjedhjet qendrore LDK-ja do ti ketë të humbura, sepse është rrezik që LDK-në do ta ndëshkonte elektorati, nëse Mustafa fiton në Prishtinë e nuk kandidon në zgjedhjet qendrore për postin e kryeministrit.

Por sipas këtij burim Isa Mustafa,tani veç e ka ndarë mendjen që në kryesinë e partisë ai personalisht do ta propozoj Abdullah Hotin, për kandidat në zgjedhjet e 3 nëntorit. Si duket edhe Isa Mustafa, ka ndërmend që të favorizojë njerëzit e partisë që janë më afër tij, sepse Haki Demolli po përmendet brenda LDK-së si përkrahës i Fatmir Sejdiut dhe aspak i afërt me Isa Mustafën e po ashtu as me Ismet Beqirin, Mustafa nuk ka ndonjë afërsi dhe nuk e konsideron fare njeri të besueshëm, ka thënë burimi në fjalë. Kurse sa i përket PDK-së, ka shumë kandidatë që pretendojnë të kandidojnë kësaj radhe, madje pretendent janë katër ministra dhe një zëvendësministër, por edhe në këtë parti burime anonime thonë se Hashim Thaçi në konsultim me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, është përcaktuar që kandidat i PDK-së në Prishtinë kësaj radhe të jetë ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.

Këtë vendim, thuhet se Thaçi e ka marrë duke pasur parasysh edhe garën shumë të fortë brenda Degës së PDK-së në Prishtinë, dhe për ta ruajtur këtë unitet brenda dege ka vendosur që ta kandidoj Enver Hoxhajn edhe duke qenë i sigurt se është një politikan i pranueshëm edhe për elektoratin e Kryeqytetit. Kurse në Lëvizjen Vetëvendosje, ku kandidati paraprakisht i nënshtrohet një votimi të brendshëm, në parimin një anëtarë një votë, po ashtu burime të gazetës kanë thënë se në mesin e kandidatëve të Vetëvendosjes, më i votuari do të jetë Shpend Ahmeti e ku thuhet se kundërkandidat serioz e ka Fisnik Ismailin.

Për dallim nga dy partitë tjera Lëvizja Vetëvendosje kësaj gare i hynë pa asnjë kompleks, sepse garon për herë të parë dhe në Vetëvendosje thonë se do të jetë kjo Lëvizje që do ta largoj nga pushteti në Prishtinë , përgjumjen 12 vjeçare të LDK-së.

Në raport me dy kandidatët tjerë potencial, Shpend Ahmeti, ka disa avantazhe. Në radhë të parë do të ketë përkrahje të fuqishme nga subjekti i vet, për dallim nga dy kandidatët tjerë, të cilët është e sigurt se do të shkaktojnë pakënaqësi brenda partive të tyre përkatëse.

As në LDK nuk do të pritet me unanimitet kandidimi i Hotit, por as në PDK, nuk do të ketë ndonjë entuziazëm sa i përket kandidimit të Hoxhajt. Poashtu Ahmeti, ka edhe një avantazh tjetër, është djalë i Prishtinës, i pranueshëm si profil politik nga të gjitha shtresat, për dallim nga dy të tjerët të cilët Prishtina i ka njohur vetëm si figura politike dhe nuk janë djem të kryeqytetit siç është Shpend Ahmeti, por edhe në postet politike që mbajnë nuk kanë ndonjë përformancë të lakmueshme.

Por megjithatë, këto janë avantazhe që vlejnë sa për fillim të fushatës, sepse kësaj radhe do të jenë ofertat dhe programet, që do të ofrojnë kandidatët ndaj qytetarëve që do ta përcaktojnë fituesin. Por është e sigurt se gara do të zhvillohet në mes të këtyre tre kandidatëve, të tjerët nuk kanë asnjë shanse teorike për të fituar në Prishtinë. Kandidati i AAK-së Besnik Tahiri, i cili garon për herë të dytë edhe pse e ka filluar i pari fushatën, nuk është duke ofruar ndonjë të veçantë për Prishtinën.

Ka një muaj e më tepër që viziton lagje të Kryeqytetit dhe asnjëherë deri tani nuk ka arritur as të prodhojë ndonjë lajm me ndonjë propozim apo nismë të re në Kryeqytet, përpos retorikës politike. Po ashtu edhe AKR-ja, kësaj radhe definitivisht do ta humbë përkrahjen, pavarësisht se me cilën figurë politike të saj do të kandidojë në Prishtinë. 

  • Albert

    13:39 / E martë, 13 Gusht 2013
    Hoxhaj nuk mundet me kandidu per kryetar te Prishtines sepese eshte nga Theranda, madje ne zgjedhjet e fundit pat kandidu per ktyetar te Therandes. Respekt
Komento:

VËREJTJE: Gazeta Tribuna mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Nga Rubrika
Ballina e Gazetës 24 Korrik 2014
  • Të fundit
  • Më të lexuara
  • Më të komentuara
Email: [email protected] Marketing: [email protected]
Telefon: 038 227 138 / 045 519 819 Marketing: 038 223 204 / 045 555 881
© Copyright 2014 - Gazeta Tribuna. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Site by Kreatoda